Shqipëria në Interreg Europe, 2 milionë euro për zhvillimin rajonal
Shqipëria përfiton rreth 2 milionë euro nga Interreg Europe për politika rajonale dhe bashkëpunim ndërrajonal.
Mbi 2 milionë euro për Shqipërinë, qasje të reja për politikat rajonale dhe bashkëpunim me dhjetëra rajone europiane janë përfitimet kryesore që vijnë nga pjesëmarrja e vendit në programin Interreg Europe. Përmes ratifikimit të marrëveshjes së financimit, Shqipëria forcon rolin e saj në bashkëpunimin ndërrajonal evropian dhe hap rrugën për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e zhvillimit rajonal.
Struktura financiare e programit
Sipas të dhënave zyrtare, Programi Interreg Europe ka një vlerë totale prej 493.103.338 euro për të gjitha vendet pjesëmarrëse. Kontributi maksimal i Bashkimit Europian arrin në 394.482.670 euro, ndërsa bashkëfinancimi i shteteve pjesëmarrëse kap vlerën 98.620.668 euro. Norma e bashkëfinancimit të Bashkimit Europian në nivel programi nuk do të jetë më e lartë se 80 për qind e shpenzimeve të pranueshme.
Duke marrë parasysh ndarjen e fondeve të Bashkimit Europian, numrin e vendeve pjesëmarrëse dhe kapacitetet zbatuese të përfituesve shqiptarë, parashikohet që për periudhën e zbatimit të marrëveshjes financiare Shqipëria të përfitojë një shumë prej rreth 2.000.000 eurosh.
Qëllimi dhe mënyra e zbatimit
Projektet e financuara nga Interreg Europe do të zbatohen në partneritet mes vendeve pjesëmarrëse dhe kërkojnë përfshirjen e përbashkët të përfituesve nga vendet IPA dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ky mekanizëm synon të nxisë bashkëpunimin ndërrajonal dhe shkëmbimin e përvojave në nivel evropian.
Objektivi i përgjithshëm i programit është përmirësimi i zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, duke përfshirë investimet për vendet e punës dhe programet e rritjes ekonomike. Programi promovon shkëmbimin e përvojës, qasjeve novatore dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale në identifikimin, shpërndarjen dhe transferimin e praktikave të mira ndërmjet aktorëve të politikave rajonale.
Fushat prioritare dhe përqendrimi i buxhetit
Fokusi i Interreg Europe mbi objektivin specifik të “qeverisjes më të mirë të bashkëpunimit” u jep përfituesve mundësinë të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, për sa kohë që ato janë pjesë e politikës së kohezionit të Bashkimit Europian. Programi synon një ekuilibër mes gjerësisë tematike dhe fokusit strategjik, duke përqendruar rreth 80 për qind të buxhetit në fushat tematike më prioritare dhe 20 për qind në fusha të tjera të politikës së kohezionit.
Nga perspektiva tematike, programi mbulon fusha që lidhen me inovacionin dhe inteligjencën ekonomike, zhvillimin e gjelbër, aspektet sociale të tregut të punës, shëndetësisë, kulturës dhe turizmit të qëndrueshëm, si edhe me lidhshmërinë, afrimin e politikave me qytetarët, arsimin, përfshirjen socio-ekonomike dhe integrimin e shtetasve të vendeve të treta.
Përfituesit dhe menaxhimi i programit
Programi Interreg Europe synon aktorët e politikës rajonale, duke përfshirë autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, si edhe institucione të tjera përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal. Ky grup përfituesish është i larmishëm dhe pasqyron kushtet institucionale dhe gjeografike të vendeve partnere.
Vendet pjesëmarrëse do të krijojnë një sistem të përbashkët menaxhimi për koordinimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të programit. Në rastin e Republikës së Shqipërisë, autoriteti kombëtar për këtë program është ngritur pranë Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Afati i marrëveshjes
Periudha e ekzekutimit të marrëveshjes financiare nis me hyrjen në fuqi ose me zbatimin e përkohshëm të saj, në përputhje me nenin 57 të marrëveshjes, dhe përfundon 15 vjet pas kësaj date.
Burimi:Monitor
Më të lexuarat






